News
Local

Dita Botërore kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore

Dita Botërore kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore

Mesazh nga António Vitorino, Drejtor i Përgjithshëm, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin

Gjenevë, 30 Korrik 2019: — Pamje që mbeten në kujtesë përgjithmonë. Familje të dëshpëruara brenda kontejnerëve asfiksues dhe varkave të vjetra që mezi qëndrojnë mbi ujë. Trupa që deti i sjell në brigje e plazhe pas lundrimesh të dështuara. Qenie njerëzore të shënjuara dhe shkatërruara nga vitet e abuzimit dhe shfrytëzimit. 

Me të vërtetë, ne jemi të shkatërruar nga historitë e dhunës dhe grabitjes që ndodhin prej personave që shfrytëzojnë të dëshpëruarit për përfitimet e tyre personale. Ndërgjegjja jonë tronditet kur vëmë re që fëmijët janë në rrezik të dëmtimeve të pariparueshme, e madje edhe vdekjes,  thjesht e vetëm sepse familjet e tyre po përpiqen të përmirësojnë të ardhmen e tyre.

Por sot – në këtë ditë kur ne përkujtojmë Ditën Botërore Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore - nuk është dita për të reflektuar mbi atë që ne ndiejmë për migrantët që janë viktima të trafikimit.

Përkundrazi është një paralajmërim se ka kaluar edhe një vit dhe duhet t’i kujtojmë vetes se pavarësisht sesa mirë mund të bëjmë, ende nuk kemi bërë aq sa duhet. Është koha për t'i dhënë fund trafikimit të burrave, grave dhe fëmijëve anembanë globit.

IOM punon pa u lodhur me partnerët në qeveri, shoqërinë civile dhe sektorin privat për të ndaluar praktikat e këqija në punësimin ndërkombëtar. Ne luftojmë për të promovuar të drejtat e migrantëve që kalojnë kufijtë për t’u punësuar në punë të vështira, që në shumë vende të zhvilluara mbeten vakante, dhe të sigurohemi që këto të drejta garantohen dhe mbrohen.

Por përsëri kjo nuk mjafton. Ne duhet të gjejmë edhe trafikantët. Ne duhet t'i nxisim qeveritë e vendeve anëtare të IOM-it të mbajnë përgjegjësi kur nuk arrijnë të mbrojnë viktimat e trafikantëve.

Migracioni, gjithnjë e më shumë shihet si një mundësi për t'i shpëtuar konflikteve, paqëndrueshmërisë, pasigurisë ushqimore, fatkeqësive natyrore dhe ndryshimeve klimatike. Ne e dimë se me lëvizjet e njerëzve në shkallë të gjerë, rriten mundësitë e elementëve kriminalë për të shfrytëzuar personat në lëvizje.

Megjithatë, kjo njohuri ende nuk ka rezultuar në veprime të mjaftueshme për të ndaluar faktorët nxitës për migrimin e pasigurt apo për të plotësuar nevojat e migrantëve për ndihmë dhe mbrojtje.

Fatkeqësisht, në ditët e sotme, shumë qeveri në fillim ndjekin organizatat jofitimprurëse që shpëtojnë migrantët në situatë rreziku, në vend që të ndjekin trafikantët dhe kontrabandistët. Është e padrejtë të ndëshkosh ata që shpëtojnë jetë - veçanërisht për arsye burokratike si p.sh për shkak të mospasjes së lejeve të duhura për t'u ankoruar, apo që veprojnë pa pasur autorizim në det. Kjo gjë është gjithashtu joefektive dhe shpërdoron burimet e OJF-ve dhe agjencive ligj-zbatuese të vetë këtyre qeverive.

Përgjigja ndaj këtyre sfidave do të kërkojë investime të konsiderueshme si dhe bashkëpunim ndërkombëtar. Por ne nuk mund t'i shpërfillim këto sfida, duke shpresuar në të njëjtën kohë që migracioni i pasigurt dhe trafikimi i migrantëve që vjen më pas, do të zhduken vetiu.

Si qytetarë, ne mund të flasim hapur kundër ndjenjave  anti-migrant, si në sferën publike ashtu edhe në atë private, ndjenja të cilat shkatërrojnë empatinë publike dhe që u mundësojnë trafikantëve të veprojnë të pakundërshtuar  dhe të pandëshkuar. Ne mund t’u kërkojmë llogari udhëheqësve tanë që tolerojnë ose inkurajojnë ngjarje që çnjerëzojnë migrantët.

Si konsumatorë, ne mund të kërkojmë produkte dhe shërbime të prodhuara jo me anë të skllavërimit apo shfrytëzimit.

Si udhëheqës, ne mund të ri-investojmë në sistemet tona të mbrojtjes sociale. Kjo përfshin sistemet e mbrojtjes së fëmijëve, sistemet e mbrojtjes për viktimat e dhunës në familje si dhe sisteme që synojnë të promovojnë të drejtat e punëtorëve. Ne duhet të sigurohemi që këto sisteme të ngrihen dhe të kenë burimet e mjaftueshme për t’iu përgjigjur nevojave të personave të rrezikuar, duke përfshirë këtu edhe migrantët e rrezikuar.

Por ne nuk mund të rrimë pa bërë asgjë dhe të shpresojmë që ndryshimi do të vijë vetë.

Unë e kuptoj që shumë njerëz po migrojnë për t’u shpëtuar situatave të dëshpëruara, por gjithashtu edhe për të realizuar aspiratat e tyre. Jam dakord që qeveritë kanë një interes legjitim për të siguruar kufijtë e tyre dhe për të menaxhuar flukset migratore. Jam në dijeni që shumë shpesh qeveritë duhet të arrijnë një balancë ndërmjet interesave të qytetarëve të tyre dhe nevojave njerëzore të migrantëve që shpesh nuk duket se përputhen.

Megjithatë, ne të gjithë kemi interes për të ruajtur respektin për dinjitetin njerëzor dhe promovuar të drejtat e njeriut.

Njerëzimi e kërkon këtë.